Rritja e standarteve ka qenë një ndër qëllimet kryesore të Pajës për këtë formë të biznesit e cila tashmë ka marrë formën e duhur dhe ka gjetur zbatim më së miri. Ai tregon se i ka ngjitur shkallët një e nga një deri sa arriti të konkretizojë idetë dhe dëshirat e tij të përshtatura mjaft mirë me zonën dhe kushtet përreth. Por pavarësisht kësaj, nuk resht së punuari, ai dhe anëtarët e tjerë të familjes që gjithashtu janë pjesë e pandarë e këtij biznesi.
Apostol Paja nuk nguron të na tregojë edhe disa momente nga puna në agrobiznes ndërsa i drjetohemi liqenit të Seferanit, vetëm pak metra larg fermës. Na demostron hedhjen e rrjetave të peshkut në liqen ndërsa në këtë proces angazhohet dhe djali i tij i vogël i cili mer varkën dhe për pak sekonda gjendet në mes të liqenit si një profesionist i vërtetë.
Peshkimi është një ndër aspektet më të rëndësishme të agrobiznesit dhe jo vetëm për të zotin e agroturizëm “Paja” pasi ai ka menduar edhe për ata që e adhurojnë këtë sport.
Në liqenin e Seferanit, falë edhe impenjimit të A.Pajës, mund të ushtrohen sporte ujore dhe për këtë ai ka mundësuar blerjen e kajakëve, një mundësi e shkëlqyer për ta shijuar liqenin. Kajakët janë vënë në dispozicion të klientëve të agroturizëm “Paja”.
Vizitorët mund ta shijojnë liqenin edhe duke ushtruar peshkim sportiv dhe peshkatarë të ndryshëm mund të peshkojnë sardele me grepat e tyre. Apostoli thotë se një sport i tillë ofrohet falas nga biznesi i tij.
Ky liqen ofron për turistët apo klientët që vizitojnë agrobiznes “Paja” një larmi peshqish që shijohen maksimalisht në restorantin e agroturizmit të tilla si krapi, omuri, laroku, peshku ballgjerë, pllënza (koca e liqenit) etj.
Të gjitha këto mund të shijohen të gatuara nga stafi i kualifikuar i restorantit por përpara se të gatuhen mund të t’i peshkojnë ato në liqen. Peshku në këtë agroturizëm tregëtohet edhe i gjallë për klientët.
Nëse dëshironi të lundroni me varkë, sigurisht që mund ta bëni një gjë të tillë dhe këtë ua mundëson sërish agroturizëm “Paja”.
Mrekullinë liqenit të Seferanit ia shtojnë edhe më tepër “qilimat” e zambaktë që krijojnë një magji më vete mbi sipërfaqen e ujit. Paja thotë se zambakët e ujit janë karakteristikë e liqeneve të Dumresë të cilat janë të pasura me një florë të pasur si zambaku i bardhë e zambaku i verdhë.
Edhe pse të tilla mundësi nuk gjenden në çdo agroturizëm tjetër në vendin tonë, agroturizëm “Paja” ofron shumë më tepër. Për të apasionuarit e lartësive, në hapësirat që mundëson ferma, janë ngritur ne qiell ballona të ndryshme duke ofruar një pamje spektakolare. Nga të tilla aventura, shumë turistë vendas e të huaj kanë shijuar nga lart bukuritë e zonës së Dumresë.
Por jo vetëm kaq. Në bisedën me të, Apostol Paja tregon me shumë kënaqësi për faktin se agroturizem ‘’Paja’’ është kthyer edhe në një destinacion të ri për shkolla të ndryshme të kryeqytetit dhe jo vetëm, të cilët zhvillojnë ekskursione apo vizita turistike të ndryshme. Ai shton se është i lumtur kur fëmijë dhe të rinj mbushin ambientet e agroturizmit dhe shijojnë jo vetëm ushqimin bio por edhe ambientin e mrekullueshëm përreth. Për të, është shumë e rëndësishme që fëmijët të rriten në ambiente të shëndetshme ndaj dhe i përkushtohet edhe më tepër kësaj kategorie falë edhe ofertave ushqimore që u prezanton.
Hapësirat e bollshme në agroturizmin “Paja” kanë mundësuar në pak raste edhe akomodimin e turistëve të cilët preferojnë të qarkullojnë me rulota, autokampera e kampera të ndryshëm. Kampingu është një tjetër risi që ofron ky agroturizëm.
Kushdo mund të vizitojë këtë ambient çlodhës dhe të shijojë panoramën e mrekullueshme që gjen në të, ushqimin e shijshëm gatuar në restorantin e agrotuziëm “Paja” dhe kjo vetëm nëse zgjedh të udhëtosh rreth 1 orë larg kryeqytetit shqiptar, në Belsh, e më konkretisht në fshatin Marinëz, vendndodhja e agroturizëm “Paja”, fermë e cila gjendet në lindje të liqenit Seferan.
Mes kodrave të buta të zonës së Dumresë, liqeni i Seferanit është një nga 85 liqenet në zonën e Belshit. Aktualisht fshati i Marinzës duket se është kthyer në një destinacion të rëndësishëm për turistët vendas dhe të huaj.
Parë në këtë këndvështrim, edhe biznesmeni Paja ka menduar ta zgjerojë edhe më tepër në të ardhmen agrobiznesin e tij. Do të preferonte të realizonte ndërtimin e një serre e cila do të siguronte prodhime për katër stinët e vitit por gjithashtu do të ishte një mbështetje e madhe edhe për të rinjtë.
Së fundmi ai ka mundësuar edhe një kopësht në të cilin ka mbjellë perime dhe drufrutorë autoktonë. Në të gjen të kultivuara, falë edhe konsulencës së agronomit specialist Shefqet Hysa, forma autoktone të kungullit, shalqinit, pjepërit, specit djegës, domate, tranguj, patëllxhanë, pras etj.
Me shumë krenari Apostoli na tregon se rreth 60-70% të produkteve të tryezës që ofron në lokalin e tij, ai e prodhon vetë, duke përfshirë këtu bukën, vajin e ullirit, rakinë, perimet e shumë produkte të tjera.
Falë punës së tij ai ka ndërtuar një fabrikë vaji të cilën e menaxhon prej 10 vjetësh. Vetëm vitin e fundit ka prodhuar rreth 30 ton vaj, një pjesë e të cilit tregëtohet. Paja punon me ullirin gjithashtu prej 10 vjetësh dhe së fundmi ka mbjellë 2100 rrënjë ullinj. Ai posedon në biznesin e tij edhe një punishte rakie të cilën e menaxhon prej 22 vitesh; ka restorantin që e administron prej 13-14 vjetësh dhe administron punët e shumta në liqen, me të cilin merret prej 5 vjetësh.
Megjithëse ka mungesë të burimeve njerëzore apo të fuqisë punëtore, Paja tregon se të gjitha shërbimet në agrobiznes i mundëson vetë. Ai ka angazhuar përveç familjes së tij, edhe të afërm të tjerë dhe gjatë fundjavës kur edhe klientët janë të shumtë në numër, të punësuarit në agroturizëm “Paja” mund të jenë 10-13 vetë personel.
Paja ka menduar të organizojë bar-restorantin e tij në atë formë që të jetë i aksesueshëm në çdo orë dhe kohë për cilindo që dëshiron të kalojë atypari.
Ajo që e bën edhe më tërheqëse këtë fermë apo këtë agroturizëm, është fakti se të zotët e saj janë banorë autoktonë në këtë zonë e në këto toka. Apostol Paja shprehet se ai dhe paraardhësit e tij janë banorë të Marinzës prej 200 vitesh dhe kush më mirë se ai mund të administronte një biznes të suksesshëm në këtë zonë. Ai shton gjithashtu se duhet guxim për të investuar por duket se guximi i treguar deri tani prej tij në këtë drejtim, është shpërblyer në mënyrën më të mirë.
Agroturizëm “Paja” gjendet fare lehtësisht në fshatin Marinëz në rrugën Belsh-Kuçovë, kilometri i 2-të, buzë liqenit të Seferanit.
Nëse dëshironi të kënaqni syrin me pamjet e mrekullueshme të natyrës, nëse doni të bëni plazh në brigjet e liqenit të Seferanit, nëse dëshironi të lundroni me varkë, kajakë apo të peshkoni, nëse dëshironi të shijoni me të dashurit tuaj ushqime bio dhe tepër të shijshme apo të konsumoni qoftë edhe një pije me miqtë tuaj, nëse kërkoni qetësinë e munguar dhe vetëm nëse dëshironi vërtetë të pushoni e të kaloni kohë cilësisht të mirë, atëherë zgjidhni agroturizëm “Paja”.
Përgatiti: Alma Janka[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]





